15.04.2024
Vellkovski: Buxheti i MPPS-së është dëmtuar mbi 2.5 milionë euro
Në periudhën nga qershori i vitit 2022 deri në muajin e kaluar, në emër të ndihmës sociale u janë dhënë mjete të paligjshme mbi 1000 qytetarëve. Kjo ka dëmtuar buxhetin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për 155.038.530.00 ose mbi 2.5 milionë euro.
Aktualisht janë hartuar dhe miratuar 1134 aktvendime për ndërprerjen e asistencës minimale të garantuar dhe sigurimit social me ndërprerje të ushtrimit të së drejtës në 12 muajt e ardhshëm. Qytetarët kanë të drejtë në mjete juridike të rregullta tek autoritetet e nivelit të dytë dhe vetëm atëherë qendrat për punë sociale do të lidhin marrëveshje për kthimin e mjeteve të marra padrejtësisht.
“Ata përfituan nga kriza e Kovid-it kur u lehtësuan kushtet për shfrytëzimin e të drejtave sociale për posedimin e një automjeti të regjistruar dhe në sistem hynë të gjitha automjetet më të vjetra se pesë vjet. Edhe pse kriza Kovid zyrtarisht përfundoi më 30 qershor 2022, nuk është bërë asgjë për shqyrtimin e rasteve të përdoruesve që posedojnë automjet të regjistruar dhe kanë mbetur në sistemin e mbrojtjes sociale dhe kanë shfrytëzuar të drejtat e tyre të pabazuara”, tha sot ministri i Punës dhe Politikës Sociale Gjoko Vellkovski.
Sipas tij, Ligji për Mbrojtjen Sociale i vitit 2019 dhe aktet nënligjore janë të qarta, ku është përcaktuar qartë dhe saktë se nëse kërkuesi/përfituesi ka në pronësi një automjet të regjistruar, ai nuk mund të ushtrojë dhe shfrytëzojë të drejtën për GMP, prandaj lind pyetja se çfarë kanë bërë strukturat drejtuese të ministrisë në këto 18 muaj.
“Më 20 janar 2024 është lidhur në mënyrë elektronike marrëveshja për shkëmbimin e të dhënave për bazat e të dhënave ndërmjet ministrave të atëhershëm Trençevska dhe Spasovski. Shkëmbimi i parë i të dhënave është bërë vetëm më 5 mars 2024, gjë që shtron pyetjen: Pse pati pritje? Dhe çfarë bëri ministrja deri më 20 janar 2024? A jepeshin të dhënat çdo muaj siç e përcakton ligji apo shkëmbimi i të dhënave me CD ose USB u dërgua në një kohë jo reale, pra me një vonesë disa mujore, gjë që mundësoi hyrjen në sistem për personat që nuk i kanë këto të drejta. Ende mbetet enigmë pyetja, pse është pritur emërimi im për ministër teknik për të filluar shkëmbimin e të dhënave kur ka mundur të bëhet që të nesërmen, e kjo është 10 ditë para emërimit tim për ministër”, pyeti ministri Vellkovski.