Ministrja Shahpaska: Jemi duke zhvilluar ekonominë sociale sepse e inkurajon jo vetëm aktivitetin ekonomik, por edhe solidaritetin dhe përfshirjen

“Jetesa moderne dhe globalizimi sjellin sfida shumë serioze dhe kjo është arsyeja pse ekonomia sociale dhe potenciali i saj në tejkalimin e problemeve të varfërisë, pabarazisë, papunësisë dhe përfshirjes po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Si Qeveri dhe Ministri e Punës dhe Politikës Sociale i njohim kapacitetet e ekonomisë sociale si shtytës jo vetëm të aktivitetit ekonomik, por edhe të solidaritetit dhe përfshirjes”, porositi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, në konferencën online me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Fakultetit Ekonomik – Shkup pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Me këtë rast, zyrtarisht u hap sot Qendra për Bizneset Sociale “Junus”, e cila është pjesë e Rrjetit global të qendrave të bizneseve sociale me ermin “Junus”. Në konferencë mbajti fjalim edhe nobelisti Mohamed Jonus, i cili është lider botëror në zhvillimin e sipërmarrjes sociale.

“Hapja e Qendrës së parë ‘Junus’ në vend po ndodh në momentin e duhur, në një moment krize, kur efektet e pandemisë COVID-19 nuk janë stabilizuar ende. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme të përgatitemi për fillime të reja, të stimulojmë një ekonomi të re dhe mënyra të reja bashkëpunimi dhe zhvillimi në mënyrë që të përballojmë dhe kapërcejmë këto sfida sa më me sukses dhe me efikasitet të jetë e mundur. Me hapjen e Qendrës së parë ‘Junus’ në vend, ne bashkohemi me familjen e 84 Qendrave ‘Junus’ që sjellin ndryshime në mbi 25 vende të ndryshme. Qendra ‘Junus’ është partneri ynë në promovimin e kulturës së sipërmarrjes sociale, veçanërisht në drejtim të sigurimit të aksesit në arsim për sipërmarrësit e ardhshëm social”, theksoi ministrja Shahpaska.

Ajo informoi se kah mesi i vitit të ardhshëm do të miratohet Strategjia e parë Kombëtare për Ndërmarrjet Sociale në vend, që është një dokument kryesor i politikave publike për ndërmarrjet sociale në vend dhe nga i cili pritet të inkurajojë krijimin e një ambienti të përshtatshëm për ndërmarrjet sociale.

“Me këtë Strategji, ne po hedhim themelet e një sistem të ri, ku kapitali njerëzor dhe mbrojtja e mjedisit janë prioritet. Ne jemi duke zhvilluar sistem në të cilin ekonomia do të punojë për të mirën e njerëzve. Arritëm të zhvillojmë një dokument përmes një procesi plotësisht pjesëmarrës që zgjati më shumë se 12 muaj dhe që përfshinte forcimin e kapaciteteve të institucioneve publike, sektorit të biznesit, ndërmarrjeve sociale dhe aktorëve që ofrojnë mbështetje për ndërmarrjet shoqërore”, tha Shahpaska.

Ligji i ri për mbrojtje sociale, si dhe zgjidhja e re ligjore për furnizime publike, sqaroi ministrja Shahpaska, sigurojnë qasje për ndërmarrjet sociale në tregun publik, me çka pritet të krijohen kushte të mira për zhvillimin e sipërmarrjes sociale, e cila kryesisht do të sigurojë përfshirjen dhe mbështetjen për ata që kanë më shumë nevojë për të.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.