23.06.2022

Trençevska: Bashkëpunimi me organizatat civile dhe ndërkombëtare është kryesore në krijimin e përgjigjes humanitare në situatat e krizës

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot mori pjesë në manifestimin ku u prezantua analiza krahasuese – “Sfidat e KOVID-19 në përgjigje të migrantëve dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga organizata e shoqërisë civile “Legis”, me pjesëmarrjen e sektorit ndërkombëtar dhe të shoqërisë civile.

Ministrja Trençevska theksoi se për Qeverinë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale kujdesi për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve është prioritet. Dhe si pjesë e kategorive të rrezikuara janë refugjatët dhe familjet e tyre, të cilët për shkak të konflikteve në vendin e tyre, për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre janë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në një vend të sigurt.

 
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me qëllim të mbështetjes së këtyre personave dhe në kuadër të ushtrimit të të drejtave socio-ekonomike dhe aksesit në shërbime sociale ofron sigurim shëndetësor për personat me të drejtë të njohur për azil, pra ofron kujdes shëndetësor për personat kërkues të së drejtës për azil të sistemuar në kuadër të qendrës së pritjes”, tha Trençevska.

Ajo informoi se personat-përfitues të sigurimit shëndetësor janë të barabartë me qytetarët e Maqedonisë, në realizimin e të drejtave në fushën e kujdesit shëndetësor dhe kanë qasje identike në të gjitha masat shëndetësore që janë organizuar konkretisht lidhur me pandeminë e shkaktuar nga KOVID-19.
 
Ministrja theksoi bashkëpunimin me UNHCR-në në sigurimin e mjeteve shtesë për ndihmë në pandemi për familjet e rrezikuara refugjate që qëndrojnë në vendin tonë. Njëkohësisht, në qendrat e përkohshme transitore, emigrantët e akomoduar përkohësisht në Vinojug ose Tabаnoc kanë qasje në shërbimet shëndetësore përmes projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, të zbatuara nga Organizata Ndërkombëtare e Migrimit. Këta persona gjatë kohës së pandemisë janë trajtuar në mënyrë adekuate në institucionet më të afërta shëndetësore, dhe ishin të përkujdesur për gjendjen e tyre shëndetësore.

“Në Qendrat e Pritjes-Transitit, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, nëpërmjet punonjësve socialë në terren, ofron ndihmë për emigrantët e rrezikuar, vlerëson interesin më të mirë dhe organizon referime në sistemin shëndetësor ose mbështetje tjetër në varësi të historisë specifike sociale. Përveç qasjes në shërbime shëndetësore dhe kujdes shëndetësor, të gjithë personat me të drejtë të njohur për azil kanë qasje në të drejtat dhe ndihmën që iu është ofruar përfituesve të NGM gjatë periudhës së pandemisë, identike me shtetasit e tjerë”, tha Trençevska.
 
Krahas masave të ndërmarra deri më tani, qëndrimi i përgjithshëm ndër vite i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, i referohet sigurimit të përfshirjes dhe aksesit të barabartë në të drejtat e personave që u është dhënë e drejta për azil pa krijuar sisteme paralele.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku njerëzit që kanë kërkuar strehim në vendin tonë të kenë qasje në mbrojtje me të gjitha standardet evropiane si dhe qasje në të drejtat socio-ekonomike”, tha Trençevska.

Ajo theksoi se bashkëpunimi me organizatat humanitare dhe joqeveritare është vendimtar në krijimin e një reagimi humanitar ndaj krizës dhe se ai do të vazhdojë edhe më tej.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.