16.10.2025
Grupi Punues Kombëtar për Parandalimin e Dhunës te të Rinjtë - mekanizmi i parë kombëtar i dedikuar ekskluzivisht për parandalimin e dhunës te të rinjtë
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup dhe në konsultim me institucionet relevante, si dhe me përfshirjen e shoqërisë civile, krijoi Grup Punues Kombëtar për Parandalimin e Dhunës te të Rinjtë. Vendimi për themelimin e tij u mor nga Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, dhe iu përcoll Misionit të OSBE-së në Shkup, me përfshirje të përfaqësuesve të nominuar të institucioneve dhe të sektorit civil të të rinjve.

Kjo përfaqëson mekanizmin e parë kombëtar të dedikuar për parandalimin e dhunës te të rinjtë dhe platformën për dialog ndërmjet institucioneve shtetërore, organeve për zbatimit e ligjit, të rinjve dhe shoqërisë civile, veçanërisht për parandalimin e dhunës te të rinjtë, me qëllim inkurajimin e koordinimit sistemik, veprimin e përbashkët dhe propozimin e zgjidhjeve të qëndrueshme. Të rinjtë do të kenë zë formal në strukturën kombëtare, e cila merret me çështjet që drejtpërdrejt ndikojnë në sigurinë dhe në të ardhmen e tyre.
Qëllimi i grupit punues është t’i përforcojë kapacitetet institucionale dhe shoqërore për parandalim dhe trajtim të dhunës ndaj të rinjve përmes qasjes gjithëpërfshirëse, të koordinuar dhe të bazuar në prova, duke siguruar pjesëmarrjen e të rinjve dhe llogaridhënien ndërinstitucionale.

Funksionet e saj kryesore përfshijnë: hartëzimin e sfidave të sigurisë, faktorët e rrezikut dhe trendet e dhunës te të rinjtë, zbatimin e vlerësimeve të përbashkëta dhe identifikimin e prioriteteve, adresimin e boshllëqeve institucionale, ligjore dhe politike në kuadrin e parandalimit dhe të reagimit, lehtësimin e shkëmbimit të njohurive, të praktikave të mira dhe të inovacioneve ndërmjet institucioneve dhe të rinjve, monitorimin dhe revizionin e zbatimit të masave të dakorduara, si dhe raportimin mbi progresin.

Grupi punues mbajti dy takime deri më tani (më 11 shtator dhe 13 tetor) me vendosje të praktikës për mbajtje të të paktën një takimi në nivel mujor, dhe nëse është e nevojshme, edhe më shpesh.\
Me këtë iniciativë, Maqedonia e Veriut po bën hap të rëndësishëm drejt krijimit të mjedisit më të sigurt dhe më mbështetës për të gjithë të rinjtë, në të cilin nuk ka vend për dhunë.