12.06.2024

Husein: Në kohën e digjitalizimit dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike, dialogu social duhet të jetë më gjithëpërfshirës dhe dinamik

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Husein, foli në sesionin e 112-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, që mbahet në Gjenevë të Zvicrës, e cila është organi më i lartë vendimmarrës i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, anëtare e së cilës është edhe Republika e Maqedonisë së  Veriut.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Husein iu referua efekteve të digjitalizimit dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike në tregun e punës, më konkretisht në dialogun social.

“Në këtë realitet të ri, dialogu social duhet të jetë më gjithëpërfshirës dhe dinamik. Format tradicionale të dialogut social shpesh nuk mjaftojnë për të përballuar sfidat e reja. Prandaj, është e nevojshme të zhvillohen forma të reja të dialogut që do të përfshijnë aktorë të ndryshëm”, tha Husein.

Në këtë kontekst, ai shtoi se dialogu social duhet të jetë proaktiv dhe i parashikueshëm.“Kjo do të thotë që ne duhet të parashikojmë dhe kuptojmë se si teknologjitë do të ndikojnë në tregun e punës dhe të përgatitemi për ato ndryshime.Kjo përfshin edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të punëtorëve, si dhe zhvillimin e politikave që do të sigurojnë mbrojtje sociale për të gjithë punëtorët. Partnerët socialë duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar strategji që do të adresojnë efektet e mundshme negative të digjitalizimit, siç janë humbja e vendeve të punës dhe rritja e pasigurisë”, shtoi Husein.

Për shkak të të gjithë këtyre faktorëve, Husein beson se përkushtimi ndaj dialogut social duhet të jetë më i fortë se kurrë dhe ai vuri në dukje se qeveritë luajnë një rol kyç në kultivimin e marrëdhënieve të mira me partnerët socialë, duke krijuar korniza ligjore dhe institucionale që promovojnë dhe mbrojnë dialogun social.

Zëvendësministri Husein kryeson delegacionin maqedonas në Konferencën Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë. Si pjesë e delegacionit, i cili është trepalësh, përveç përfaqësuesve të ministrisë, si çdo vit, marrin pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të partnerëve socialë përfaqësues në nivel kombëtar, përkatësisht përfaqësues të Unionit të Sindikatave të Maqedonisë dhe Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.