14.12.2024
Limani nga Kosova: Një nga rolet më të rëndësishme të institucioneve është që të ofrojnë platforma për zhvillimin e të rinjve
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ndodhet në një vizitë njëditore në Republikën e Kosovës për të marrë pjesë në panelin e diskutimit me titull – “Roli i institucioneve për zhvillimin, fuqizimin dhe rrjetëzimin e të rinjve” organizuar nga Dreamin' Kosovo në bashkëpunim me LDA Europe.
Në konferencën, e cila pati disa diskutime në panel, morën pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, komuniteteve lokale, organizatave ndërkombëtare dhe qytetare, studentë, studiues, sipërmarrës të rinj.
Në panel diskutimi, ministri Limani, duke iu referuar rolit të institucioneve në zhvillimin dhe fuqizimin e të rinjve, tha se një nga rolet më të rëndësishme të institucioneve është ofrimi i platformave për zhvillimin e të rinjve.
“Kjo nënkupton edukim, trajnim dhe programe që do t'u mundësojnë të rinjve të përvetësojnë njohuri dhe shkathtësi që janë të nevojshme në shoqërinë bashkëkohore dhe tregun e punës. Ka shumë iniciativa, siç janë shkolla për liderë, trajnime për zhvillim personal, mbështetje psikologjike etj. Institucionet duhet të investojnë në mënyrë aktive në këto fusha për të siguruar arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë të rinjtë”, tha Limani.
Ai theksoi se, përveç zhvillimit të shkathtësive, është e rëndësishme që të rinjtë të forcohen edhe mentalisht si dhe të inkurajohen që të bëhen më pro-aktivë në komunitetin e tyre. Institucionet kanë për detyrë të krijojnë kushte për zhvillimin e vetëbesimit të të rinjve, t'i mbështesin ata në marrjen e vendimeve dhe t'u ofrojnë atyre qasje në burime dhe mundësi.
Ministri foli edhe për rolin e institucioneve dhe rrjetëzimin e të rinjve. Ai iu referua rëndësisë së Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor - RYCO, e cila ka një rol kyç në inkurajimin dhe mbështetjen e proceseve të bashkëpunimit rajonal të të rinjve.
Ky institucion ndërqeveritar, që nga themelimi i tij në vitin 2016, deri më sot ka mundësuar pjesëmarrjen e mbi 60.000 të rinjve në programet dhe aktivitetet rajonale dhe lokale të zbatuara apo mbështetura prej tij.
“Nëpërmjet programeve rajonale të RYCO-s, por edhe përmes aktiviteteve lokale të Zyrës në Shkup, mundësohet përkrahja e sistemit formal arsimor - përmes Skemës Rajonale për shkëmbimin e shkollave nga Ballkani Perëndimor – “Supershkolla”, duke krijuar ndryshime pozitive sociale përmes kulturës dhe artit, sipërmarrjes sociale dhe mbështetjes financiare dhe këshilluese”, tha Limani.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut - 45 shkolla me më shumë se 600 nxënës morën pjesë në shkëmbimet e shkollave rajonale, më shumë se 70 mësimdhënës ishin pjesë e trajnimeve rajonale për fuqizimin e kapaciteteve të tyre, 10 individë dhe organizata të shoqërisë civile u mbështetën për të forcuar bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor, kurse përmes thirrjeve të hapura për mbështetje financiare të organizatave që punojnë me të rinjtë janë mbështetur mbi 20 organizata dhe mbi 400 të rinj nga Maqedonia e Veriut.
Sot, të rinjtë marrin pjesë në krijimin dhe zbatimin e politikave nëpërmjet Këshillave Rinor Vendorë në nivel lokal dhe nëpërmjet Trupit Këshillimor Kombëtar në nivel kombëtar – instrumente këto të parashikuara në Ligjin për Pjesëmarrjen Rinore dhe Politikat Rinore.
Ministri tregoi se vazhdon zbatimi i Garancisë për të rinjtë, Ligjit për praktikën dhe mbështetjen financiare të organizatave rinore.
Ai në fund theksoi se, përveç ofrimit të kornizës ligjore për programet e zhvillimit të të rinjve, institucionet publike duhet të punojnë edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e sektorit të rinisë në shoqëri.
Limani tha se mundësitë për të krijuar me sukses të ardhmen varen nga ajo që do t'u lëmë të rinjve.
“Prandaj, NE – Aktorët e sotëm dhe Rinia që e përfaqëson të nesërmen - duhet të punojmë së bashku! Vetëm atëherë do të mund të flasim për SUKSES dhe PROSPERITET”, theksoi Limani.