03.12.2021

Shahpaska: Shtëpia e vogël në grup në Kapishtec të Shkupit është shembull për kujdes të vërtetë për fëmijët me aftësi të kufizuara 

“3 Dhjetorin e shënojmë si Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, por përfshirja e këtyre personave në shoqëri është një proces që zgjat 365 ditë në vit. Ata janë pjesë e jetës sonë të përditshme, janë miqtë dhe të afërmit tanë”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska gjatë një vizite në një shtëpi të vogël grupore për personat me aftësi të kufizuara që ndodhet në lagjen Kapishtec të Shkupit.

 

Ministrja theksoi se këta persona më së shumti kërkojnë barazi, jetë të pavarur dhe funksionim në shoqëri, prandaj prioriteti kryesor i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe i Qeverisë është përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha rrjedhat sociale. Në këtë drejtim, ministrja tha se prioritet është edhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Deinstitucionalizimin 2018 - 2027 “Timjanik”.

 

“Në Shkup kemi dy shtëpi të vogla grupore që janë vendosur 8 përfitues, nga 6 deri në 18 vjeç, të deinstitucionalizuara nga Institucioni Special Demir Kapi. Këtu në Kapishtec janë akomoduar katër fëmijë, për të cilët përkujdesen një defektolog dhe një kujdestare që u ndihmojnë çdo ditë gjatë të ushqyerit, veshmbathjes, dhënies së terapisë mjekësore etj. Këta fëmijë janë të përfshirë edhe në procesin arsimor. Në kuadër të Institucionit Special Demir Kapi janë nëntë shtëpi të vogla grupore. Tre prej tyre janë në Demir Kapi dhe katër në Negotinë. Atje janë vendosur të rriturit. Në këto banesa, të cilat financohen nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ofrohet jetë më cilësore për çdo përfitues, sepse secili ka këndin e vet”, tha Shahpaska. 

Ministrja Shahpaska theksoi se me këto shtëpi grupore në praktikë zbatohet mënyra e re e ofrimit të shërbimeve sociale për personat me aftësi të kufizuara. 

Gati gjysma e 480 personave që ishin vendosur në institucione të mëdha në fillim të vitit 2017, tani janë zhvendosur dhe përkujdesur në forma alternative të kujdesit në komunitet, duke përfshirë të gjithë fëmijët nën moshën 18 vjeç. Me Strategjinë Kombëtare për Deinstitucionalizimin parashikohet që deri në fund të vitit 2024 të mos ketë asnjë përfitues të vendosur në institucion rezidencial.

 

Me Ligjin e ri për Mbrojtjen Sociale të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, kufiri për asistencë personale është ulur nga 18 në 6 vjeç. Me Programin e Zhvillimit të OKB-së, në partneritet me Lidhjen Nacionale të të Verbërve, Ministria ka krijuar aplikacionin e parë Audio-Lexues për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar, i cili u mundëson atyre të dëgjojnë dhe kuptojnë tekstin e shkruar në një version audio në gjuhën e tyre amtare.  Janë hapur edhe 15 kopshte të reja gjithëpërfshirëse, të cilat mundësojnë përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsimin parashkollor. 

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 15% e popullsisë së përgjithshme janë persona me aftësi të kufizuara, kurse në vendin tonë ky numër është rreth 300 mijë qytetarë.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.