26.01.2022

Trençevska në intervistë për TV Alsat: Me zgjidhjen e re ligjore për mobing do t'i inkurajojmë punëtorët që të denoncojnë në mënyrë të sigurt ngacmimet në vendin e punës 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në intervistë për TV Alsat informoi se Ministria aktualisht është duke punuar në ndryshimin e Ligjit për mbrojtje nga ngacmimet në vendin e punës. Sipas saj, qëllimi i ndryshimeve është që punëtorët të inkurajohen më shumë për të denoncuar mobingun në vendin e punës.

 

“Po punojmë për ndryshime dhe plotësime për të forcuar mekanizmin mbrojtës të punëtorëve. Zgjidhja aktuale nuk ofron mbrojtje më të madhe. Për këtë aspekt, ne do të ndryshojmë këtë zgjidhje ligjore. Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi i krijuar tani ka mundësi të veprojë në rast të denoncimit të mobingut. Komisioni ka kompetencë dhe mundësi që të hetojë, të nxjerrë prova që do të jenë në favor të njërës apo tjetrës palë”, tha ministrja Trençevska. 

Trençevska theksoi se Qeveria vazhdimisht po ndërmerr hapa konkretë për të krijuar një sistem gjithëpërfshirës dhe efikas për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje. 

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale mban të dhëna përmbledhëse për viktimat e dhunës në familje. Nga janari deri në shtator, 863 viktima ishin gra, 215 ishin burra dhe 153 ishin fëmijë. Autorët në shumicën e rasteve janë meshkuj. Synimi ynë është që deri në fund të mandatit të krijojmë qendra këshillimi dhe qendra mbrojtëse pothuajse në të gjitha qytetet. Me buxhetin për këtë vit planifikojmë të hapim edhe pesë këshillimore në Kërçovë, Gostivar dhe Kumanovë. Aktualisht ekzistojnë 13 Qendra për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore (strehimore/qendra krize). 8 prej tyre janë themeluar nga MPPS-ja. Disa nga shërbimet e tjera financohen nga MPPS-ja dhe menaxhohen nga një organizatë e shoqërisë civile. Kemi edhe 10 qendra këshillimore për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje, nga të cilat 8 janë të MPPS-së, njëra financohet nga Ministria jonë dhe menaxhohet nga një organizatë e shoqërisë civile dhe kemi një tjetër që financohet nga komuniteti lokal. Ne si Ministri kemi themeluar 9 Qendra këshilluese për trajtim psiko-social për kryesit e dhunës në familje dhe tri Qendra të tjera të krizës për viktimat e dhunës seksuale”, tha Trençevska. 

Trençevska nënvizoi se qëllimi kryesor i këtyre qendrave është të mbrojnë viktimat dhe t'u mundësohet të vazhdojnë jetën e tyre, të gjejnë punë, jetesë dhe të vazhdojnë të jetojnë të pavarur, në paqe.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.