01.07.2022

Trençevska: Ftoj komunat të aplikojnë në thirrjen publike për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, të cilat janë në interes të të gjithë qytetarëve

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka promovuar sot thirrjen e dytë publike për dhënien e granteve për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal. Kushtet për pjesëmarrje në thirrjen publike janë promovuar para kryetarëve të disa komunave dhe përfaqësuesve të tjerë të vetëqeverisjes lokale.

Nga sot, 1 korrik 2022, komunat do të mund të shprehin interes për pjesëmarrje në thirrjen publike. Pas përfundimit të këtij procesi do të hapet thirrja publike për grante për komunat, me qëllim të zhvillimit të shërbimeve sociale në nivel lokal. Komunat që shprehin interes për pjesëmarrje do të marrin asistencë eksperte falas për përgatitjen e projekt propozimeve.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në fjalimin e saj para të pranishmëve theksoi rëndësinë e zhvillimit të shërbimeve sociale në nivel lokal si faktor i rëndësishëm në procesin e decentralizimit dhe forcimit të kapaciteteve të komunave në interesin e qytetarëve.

“Me zhvillimin e shërbimeve të reja sociale të aksesueshme sipas nevojave të qytetarëve në nivel lokal, fitojnë përfitime dyfishe. Së pari, është një kënaqësi e madhe të shoh personalisht se si mbështetja e ofruar përmirëson cilësinë e jetës së përdoruesve të shërbimeve të zhvilluara. Së dyti, por edhe i rëndësishëm për këtë pjesë të reformës sociale është përfshirja në tregun e punës e kategorive të rrezikuara sociale, si të papunëve afatgjatë, përfituesve të asistencës minimale të garantuar, nënave beqare e të tjerë dhe nxjerrja e tyre nga varfëria. Ftoj komunat së bashku me ofruesit e mundshëm të shërbimeve të aplikojnë në thirrjen e dytë për zhvillimin e shërbimeve sociale, sipas kushteve që do të specifikohen, sepse padyshim ato sjellin përfitime të mëdha për të gjithë”, tha ministrja Trençevska.

Në kuadër të thirrjes së parë për grante për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, përmes këtij projekti kanë marrë mbështetje financiare 22 projekte në 27 komuna. Pjesa më e madhe e tyre, ose 16, janë për ndihmë në kujdesin e të moshuarve në shtëpi, tre janë qendra ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nga një projekt synohet për të ndihmuar të moshuarit në një qendër ditore dhe rehabilitim dhe rigjenerimin e personave me aftësi të kufizuara në mjedisin lokal me shërbime këshillimi. Nëpërmjet këtyre shërbimeve mbulohen më shumë se 522 përdorues, ndërsa përfitim shtesë është se personat që angazhohen për realizimin e këtyre projekteve janë nga kategoritë e rrezikuara sociale, të cilët më parë kanë kryer trajnime profesionale.

Për të përcaktuar efektet e realizimit të shërbimeve, është përgatitur një analizë e përvojave dhe sfidave gjatë zbatimit të ofrimit të shërbimeve sociale në nivel lokal. Analiza tregoi se bashkëpunimi ndërmjet të gjitha palëve të përfshira është jashtëzakonisht i rëndësishëm, si dhe se zhvillimi i shërbimeve sociale në nivel lokal mundëson angazhimin e personave nga kategoritë e rrezikuara, duke krijuar tendenca të reja në tregun e punës. Ndër të tjera, analiza tregoi se është i nevojshëm forcimi i kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve dhe përmirësimi i rregullores.

Projekti për përmirësimin e shërbimeve sociale, i zbatuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me mbështetjen e Bankës Botërore, synon të krijojë shërbime të reja sociale më cilësore sipas nevojave të qytetarëve, duke përfshirë shërbimet për zhvillimin e hershëm të fëmijërisë.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.