18.09.2024
Limani: Duke i nënvizuar dobësitë në sistem do të krijojmë zgjidhje cilësore sistematike për kategoritë e cenueshme të qytetarëve
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, sot ka takuar drejtoreshën e Institutit për Politika Evropiane (IPE) Simonida Kacarska dhe përfaqësues të Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave – Romalitiko.
Në takim u diskutua për analizat, hulumtimet dhe zgjidhjet ideore që po punojnë këto dy institute me fokus romët si një nga kategoritë më të cenueshme të qytetarëve në komunitet. Si të tillë u veçuan prindërit kryefamiljarë, personat me aftësi të kufizuara, të kthyerit dhe të tjerë. Qëllimi i projektit për të cilin ata po punojnë është të zhvillojë dhe zbatojë një proces të llogaridhënies sociale që do të identifikojë dhe dokumentojë se si reforma sociale e vitit 2019 arrin te grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara, duke përfshirë romët dhe të kthyerit, dhe nëse e njëjta u përgjigjet nevojave të tyre.
Përfaqësuesit e instituteve i prezantuan dobësitë e konstatuara në marrëdhëniet ndërmjet Qendrave për Punë Sociale dhe përfituesve të të drejtave të mbrojtjes sociale. Si dy pika ku është kryer hulumtimi u përmenden Komuna e Shuto Orizares dhe Kumanova.
Në takim u hap edhe çështja e të kthyerve në vendin tonë si çështje veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh rrugën e integrimit europian të vendit tonë.
Ministri Limani shprehu mbështetjen e tij për projekte të tilla, të cilat kanë në fokus kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre. Ai vuri në pah se këto hulumtime do të kontribuojnë në krijimin e zgjidhjeve sistematike që synojnë zgjidhjen e sfidave me të cilat përballemi si shoqëri.
Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm në fushat nën juridiksionin e Ministrisë.