17.09.2024
Sabriu: Suksesi i proceseve të risocializimit dhe riintegrimit është pasqyrim i suksesit të shoqërisë në tërësi
Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Sabriu, mori pjesë sot në një diskutim profesional për proceset e risocializimit dhe (ri)integrimit të fëmijëve të vendosur në IP për përkujdesjen ndaj fëmijëve me probleme sociale edukative dhe me sjellje të çrregulluar, me rastin e Analizës për këto dy procese nga Fakulteti i Sigurisë-Shkup, në bashkëpunim me Entin për Veprimtari Sociale.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Sabriu e theksoi rëndësinë e këtij diskutimi profesional, nga i cili duhet të rezultojnë hapat e ardhshëm të institucioneve që punojnë në këtë fushë.
“Të gjithë ne së bashku, institucionet, sektori civil, por edhe çdo qytetar mund të kontribuojë në realizimin e suksesshëm të proceseve të risocializimit dhe riintegrimit të fëmijëve me probleme sociale edukative dhe sjellje të çrregulluara”, theksoi Sabriu.
Ai iu referua reformës sociale që është zbatuar në Republikën e Maqedonisë në vitin 2019 me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve sociale dhe modernizimit të sistemeve që u shërbejnë kategorive më të cenueshme të popullsisë.
“Kjo reformë synoi të adresojë sfidat e shumta me të cilat përballet sistemi ekzistues dhe të prezantojë masa dhe strategji të reja që do të sigurojnë mbështetje më efikase dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë përfituesit e shërbimeve sociale. Kjo reformë parashikoi edhe transformimin e IP-së për fëmijët me probleme edukative sociale dhe sjellje të çrregulluara dhe funksionimin e saj në njësi organizative apo të njohura në publik të ashtuquajturat Shtëpi të vogla në grupe. Synimi që u vendos nga themelimi i tyre ishte sigurisht i justifikuar. Në këtë mënyrë fëmijët do të merrnin përkujdesje 24 orëshe nga një ekip profesional dhe një mënyrë jetese të ngjashme me ambientin familjar”, tha Sabriu.
Ai nënvizoi se, për suksesin e kësaj reforme mund të flasim në bazë të gjetjeve të hulumtimit të kryer nga Fakulteti për Siguri-Shkup dhe Enti për Veprimtari Sociale.
“Ne jemi këtu për të detektuar dobësitë dhe pikat e forta të proceseve të risocializimit dhe riintegrimit dhe bashkërisht të arrijmë në përfundimet që do të jenë hapat tanë të ardhshëm në ballafaqimin me sfidat dhe avancimin e këtyre proceseve. Prandaj, le të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe entuziazëm në këto fusha, për t’u ofruar fëmijëve tanë mundësi për zhvillim dhe integrim të plotë në shoqëri. Është përgjegjësi dhe detyrim i ynë që të investojmë në të ardhmen e tyre dhe të ofrojmë një sistem që do t'i mbështesë ata në rrugën e tyre drejt suksesit", tha Sabriu.
Në fund, ai porositi se suksesi i këtyre proceseve pasqyron suksesin e shoqërisë në tërësi dhe sa e gatshme dhe e përgjegjshme është shoqëria për t'u përballur me këto sfida.
“Vetëm me një përpjekje të përbashkët dhe me angazhimin e të gjithëve mund të kemi sukses!”, porositi Sabriu.