20.09.2024

Sekretari Shtetëror, Sabriu: Programi Supershkolla është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të liderëve të rinj global të ndërgjegjshëm 

Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Sabriu, sot mori pjesë në ngjarjen ceremoniale të titulluar “Ti njohim Supershkollat” në Shtëpinë e Evropës (Europe house), e cila kishte për qëllim promovimin e Programit të Shkëmbimit të Supershkollave nga Ballkani Perëndimor. Sot u bë hapja zyrtare e ciklit të tretë të programit Supershkolla të mbështetur nga Komisioni Europian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), që zbatohet nga RYCO dhe GIZ.

 

Në zbatimin e ciklit të ri të këtij projekti janë përfshirë 15 shkolla të mesme, së bashku me shkollat e tyre partnere nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. 

Sekretari Sabriu, në fjalën e tij para të pranishmëve, shprehu kënaqësi të veçantë të trajtojë temën e rinisë dhe mundësive për zhvillimin dhe përparimin e tyre. Sepse, siç tha ai, të rinjtë janë e tashmja dhe e ardhmja e shoqërisë sonë dhe ne duhet t’u ofrojmë mjetet dhe burimet për të pasur sukses. 

“Ne, përfaqësuesit e institucioneve, sektori i shoqërisë civile, profesorët, si dhe prindërit kemi përgjegjësinë për t’u dhënë atyre mundësinë për të zhvilluar potencialin e tyre. Jam i bindur se çdo i ri ka potencial në vete, i duhet vetëm mbështetje dhe kushte që ai potencial të arrijë maksimumin. Dhe kjo do të thotë të rinj që do të jenë politikëbërës, krijues të inovacionit, krijues të së nesërmes sonë më të mirë”, theksoi Sabriu. 

Gjatë kësaj u theksua rëndësia e Programit të Supershkollave, i cili është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të liderëve të rinj global të ndërgjegjshëm.  

“Programi i shkëmbimit u mundëson nxënësve tanë të fitojnë përvoja të reja, të njohin kultura të ndryshme dhe të krijojnë miqësi me bashkëmoshatarë nga vende të tjera. Këto përvoja jo vetëm që pasurojnë mjedisin tonë arsimor, por edhe inkurajojnë kreativitetin dhe inovacionin”, tha Sabriu. 

Në fund të këtij fjalimi ai i porositi të rinjtë të mos harrojnë se e kanë fuqinë për të ndikuar. 

“Jini aktiv, angazhohuni dhe mos kini frikë të ndani mendimet tuaja. Perspektiva juaj është e vlefshme dhe domethënëse. Investoni në arsimimin tuaj, zhvilloni aftësitë tuaja dhe ndiqni qëllimet që ju frymëzojnë. Së bashku, ju mund të krijoni një shoqëri më të mirë për të gjithë ne. E ardhmja është e juaja dhe aktiviteti juaj sot mund të formësojë të nesërmen! Të gjithë ne besojmë te Ju”, porositi Sabriu. 

Në këtë ngjarje përveç përfaqësuesve të RYKO-s, morën pjesë edhe përfaqësues të Delegacionit të BE-së, Ambasadës Gjermane, Ministrisë së Arsimit, institucioneve shtetërore, drejtorë të shkollave të mesme dhe të rinj.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.