19.09.2024
Takim Limani-Drexler: Gjermania është mbështetëse e fortë e Maqedonisë në arritjen e qëllimeve të saj prioritare nga të cilat përfitojnë qytetarët
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, sot ka takuar ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.S. Petra Drexler.
Në takim u theksua mbështetja e madhe që Gjermania i ofron vendit tonë me dekada, si dhe investimi përmes projekteve të ndryshme që kanë për qëllim përmirësimin e standardit të qytetarëve të Maqedonisë. Politikat e punësimit, politikat rinore, barazia gjinore dhe demografia ishin pikat kryesore të diskutimit në takimin e sotëm.
Bashkëbiseduesit biseduan edhe për Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), e cila është një mekanizëm institucional funksional i pavarur, i krijuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me qëllim promovimin e frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit mes të rinjve në rajon përmes programeve të shkëmbimit të të rinjve. Në të njëjtën kohë, ata iu referuan faktit se vitin e ardhshëm Maqedonia do të jetë vendi kryesues i kësaj organizate.
Ministri Limani theksoi se Qeveria dhe Ministria po punojnë me përkushtim për përfshirjen e të rinjve në krijimin e politikave dhe ofrimin e mundësive për zhvillimin e tyre arsimor dhe profesional në vendin e tyre, si dhe për të rikthyer besimin në sistem dhe për t’i bindur ata që të kthehen në shtëpi dhe t'i zhvillojnë këtu potencialet e tyre.
Në takim u theksua se Gjermania është partnere dhe mbështetëse e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, përmes mbështetjes në reforma dhe në vetë procesin. Në të njëjtën kohë, u theksua se procesi i Berlinit si një nismë bashkëpunimi ndërqeveritar që synon përshpejtimin e procesit të integrimit evropian është një tregues i qartë i mbështetjes që e marrim nga Gjermania.