30.09.2024
Takimi Limani-Lludva: Republika Çeke është një mbështetëse e madhe e vendit në integrimet evropiane dhe politikat që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Republikës së Çekisë, Jarosllav Lludva, në të cilin u diskutuan disa tema kyçe, para së gjithash, integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut, thellimi i bashkëpunimit në nivel bilateral dhe aktivitetet e Ministrisë në 100 ditët e para nga ardhja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ambasadori Lludva konfirmoi mbështetjen çeke për rrugën e integrimit evropian të vendit dhe gjithashtu u bëri ftesë përfaqësuesve të Ministrisë që të vizitojnë vendin e tyre me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe dypalësh në përgjithësi.
Bashkëbiseduesit folën për temat e barazisë gjinore dhe përfshirjen e grave dhe të rinjve në krijimin e politikave dhe pjesëmarrjen në të gjitha segmentet e shoqërisë.
Ministri Limani theksoi se përfshirja e të rinjve dhe grave në politikë është kyçe për mbarëvajtjen e proceseve në vend.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë në fushat nën kompetencë të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.