27.09.2024
Takimi Limani-Xhein: Suedia mbetet një mbështetëse e fuqishme e Maqedonisë së Veriut në integrimin evropian, barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka takuar sot Ami Larson Xhein, ambasadore e Mbretërisë së Suedisë në Maqedoninë e Veriut.
Në takim, bashkëbiseduesit diskutuan për fushat nën kompetencat e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, për të cilat dy vendet kanë krijuar bashkëpunim të ngushtë, si barazia gjinore, mbrojtja nga diskriminimi, trafikimi i qenieve njerëzore dhe mbrojtja dhe parandalimi i dhunës ndaj grave.
Ministri Limani e njohu ambasadoren me aktivitetet aktuale të ministrisë në fushat e lart përmendura, lidhur me dokumentet kyçe të miratuara si strategjitë dhe planet e veprimit, si dhe punën e Qendrës Burimore për politikëbërje dhe buxhetim të përgjegjshëm gjinor në shtet dhe rajon. Suedia është një nga mbështetësit për themelimin e saj.
Ambasadorja theksoi se barazia gjinore dhe mundësimi i grave për t'iu bashkuar tregut të punës është e një rëndësie të veçantë për shtetin. Ajo theksoi se kjo ndikon veçanërisht në forcimin e ekonomisë në vend dhe se Suedia është shembull për këtë, e cila siç tha ajo, ka arritur rritje ekonomike deri në 20% falë barazisë gjinore në shoqëri.
Një nga temat e rëndësishme të cilat u diskutuan në takim ishte edhe rinia, për të cilën ministri Limani theksoi se Qeveria dhe Ministria si dikaster do të avokojnë veçanërisht për përfshirjen e të rinjve në proceset e politikëbërjes, por edhe të gjitha segmentet e shoqërisë. Vendi ka nevojë për investime, vende të reja pune dhe forcimin e ekonomisë, si një nga faktorët për të mbajtur të rinjtë në vend.
Në fund të takimit, ambasadorja konfirmoi mbështetjen e sinqertë të vendit në proceset integruese evropiane dhe proceset që çojnë në avancimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në vend.